
Nesër në sheshin “Skënderbej”, balerini shqiptar me famë botërore, Eno Peçi do të sjellë valsin e famshëm vjenez, në kuadër të aktiviteteve të “Tirana, kryeqyteti evropian i rinisë 2022”.
Aktiviteti “Vals me të rinjtë”, që do të zhvillohet në datën 6 korrik, organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Ambasadën e Austrisë në Tiranë, ka bërë të ditur balerini Peçi.
Valsi që kemi përgatitur me 5 balerinë të tjerë shqiptarë, nuk do jetë ai valsi profesional, por do jetë paksa më i thjeshtë, më i lëvizshëm, vals pak më i thyer, më i përditësuar.
E rëndësishme është atmosfera dhe të bëhemi bashkë.
Ndërkohë, drejtoresha e Rinisë, në Bashkinë e Tiranës Aspasjana Kongo theksoi se përzgjedhja e kësaj rryme ishte se valsi arrin të përçojë një mesazh shumë të mirë për të rinjtë.
Për nesër janë të ftuar të gjithë të rinjtë, për një leksion të hapur valsi, prej orës 20:00 në sheshin “Skënderbej”.



