
“Parlamenti i dorëzuar”, piktura e Banksy-t, që e paraqet Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik të mbushur me shimpanze, pritet të arrijë një çmim rekord në ankand.
Artisti i rrugës që preferon të ruajë anonimatin e bëri këtë pikturë në vitin 2009, një kohë kur edhe sikur thjesht të përmendej fjala Brexit, njerëzit do të shqetësoheshin.
Vepra do të shfaqet në Londër për herë të parë këtë muaj, në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s, më pak se një milje nga Parlamenti britanik.
Alex Branczik, i cili drejton departamentin evropian të artit bashkëkohor në Sotheby’s, thotë se Banksy ishte një Volter i ditëve moderne.
"Pavarësisht se ku qëndroni ju në tryezën e debatit për Brexit, nuk ka dyshim se kjo vepër ka një rëndësi më të madhe se kurrë, pasi mbledh në vetvete nivele të pashembullta të kaosit politik dhe e rikonfirmon Banksy-n si polemist satirik të kohës sonë", thotë ai.
Piktura me gjerësi rreth 4 metra është më e madhja në kanavacë që mban firmën e Banksy-t. Vlera e saj në ankandin e 3 tetorit pritet të shkojë nga 1.5 deri në 2 milionë paund.
Piktura është ekspozuar për herë të parë në muzeun e qytetit të tij të lindjes, në Bristol, në vitin 2009, një shfaqje që tërhoqi më shumë se 300 000 vizitorë dhe u bë një nga 10 ekspozitat më të vizituara në botë atë vit.
Banksy së fundmi i kushtoi Brexit-it në një murale të madhe në një ndërtesë në Dover, në të cilën shfaqet një punëtor që po djeg një yll nga flamuri i BE-së.



