Dirigjenti Zhani Ciko gjatë homazheve të muzikantit Avni Mula këtë të premte pranë “Arteve”, solli në vëmendje bashkëpunimet që ka pasur me artistin.
Si një nga momentet më të veçanta, ai kujtoi një nga daljet e çiftit Mula së bashku në skenë, kur kompozitori së bashku me bashkëshorten, sopranon Nina Mula kënduan “Valsin e Lumturisë”.
Koncerti jubilar ishte organizuar nga Ciko në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së baritonit.
“Në një fazë të parë të këtij koncerti në Festival të Radios, ne bashkuam Avniun me Ninën në ‘Valsin e Lumturisë’. Më tej, pasi u lidhëm me Invën në Paris dhe i bashkuam në një trio skenike. Ishte një lidhje ‘live’, për një televizion, që në vitet e para të demokracisë vuante nga pikëpamja teknike. E megjithatë kjo zbehej pasi Shqipëria kishte artistë të mëdhenj. Ajo ditë ka qenë e paharrueshme!”, thotë Ciko.
Më tej, dirigjenti tregon emocionet për vënien në skenë të “Boranës”, një nga veprat më të njohura operistike të Avni Mulës.
“Ishte një kënaqësi e madhe që realizuam operën ‘Borana’ pas shumë vitesh. Kjo shërbeu që vepra të mos mbetej dorëshkrim dhe të shkatërrohej, por përkundërazi me rivëniet e saj në skenë të përmirësohej. Jam i bindur që veprat e Avni Mulës në një moment më të mirë të institucionit tonë dhe në një moment kur krijimtaria shqiptare do të ketë vlerësimin e saj do të jenë të gjata”, tha ai.



