
Në shenjë nderimi për 30-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, nga data 15 korrik deri më 15 gusht do të zhvillohet Porto Palermo Festival.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka bërë të ditur sot në një njoftim se ky festival do të pushtojë Jugun e Shqipërisë.
Margariti shton se do të jetë një festë e madhe në 30-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, që me iniciativën e violinistit Olen Çesari, do të mbledhë në kështjellën e Ali Pashës në Himarë, muzikantë nga dy vendet tona.
“Le të jetë ky muaj një fillim i ri pas periudhës së vështirë që kaluam gjatë pandemisë COVID-19”, thekson Margariti.
Edhe Ambasada italiane në Shqipëri e ka vlerësuar 30 vjetorin e miqësisë mes dy vendeve.
“Marrëdhënia e veçantë që lidh Shqipërinë dhe Italinë ushqehet nga shumë aspekte, duke filluar nga sporti, në ekonomi, në kulturë, në muzikë. Me këtë event ne festojmë tridhjetë vjetorin e miqësisë mes dy vendeve. Është edhe shenjë e rimëkëmbjes pas një periudhe të errët të shënuar nga pandemia. Falënderojmë Olen Çesarin, që përmes muzikës ka bërë të mundur ndërthurjen e dy popujve dhe dy kulturave”, ka bërë të ditur edhe Ambasada e Italisë në Shqipëri.



