
Prej 25 vitesh e pranishme në Mirditë me investime dhe mbështetje për njerëzit në nevojë, humanistja austriake Mariana Graf i ka kushtuar kësaj zone edhe një libër të veçantë.
Në botimin e saj, Mariana Graf ka përmbledhur historinë, traditat, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të Mirditës, duke e cilësuar këtë krahinë si një nga zonat me potencial të jashtëzakonshëm turistik në Shqipëri.
Sipas autores, mungesa e vlerësimit të duhur për Mirditën e ka nxitur të realizojë këtë libër, i cili synon të promovojë pasuritë kulturore dhe natyrore të zonës.
Në ceremoninë e promovimit të librit ishin të pranishëm autoritete lokale, shkrimtarë, studiues, historianë, si dhe ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monica Zach.
Të pranishmit vlerësuan kontributin e Mariana Graf për Mirditën dhe për komunitete të tjera në vend.
Ky botim pritet të shërbejë si një guidë e rëndësishme për të gjithë vizitorët dhe studiuesit që dëshirojnë të njohin dhe eksplorojnë Mirditën dhe pasuritë që ajo ofron.



