ASH e Shqipërisë dhe Kosovës mbajnë Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike

ASH e Shqipërisë dhe Kosovës mbajnë Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike

Tirana nga nesër do të bëhet qendra e diskutimeve dhe e arritjeve më të fundit në fushën e shkencave albanologjike me pjesëmarrjen e emrave më të shquar të shkencave albanologjike nga vendi dhe nga bota.

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës do të zhvillojë punimet nga datat 25 deri më 27 nëntor në të cilën do të marrin pjesë rreth 182 studiues shqiptarë dhe të huaj.

Sic njofton ASH, kanë mbërritur tashmë albanologët më të njohur nga vende të ndryshme të botës si Pierre Cabanes, Francë; Lucia Nadin, Itali: Jose Manuel Floristan, Spanjë; Peter Schreiner, Gjermani; Maria Tereza Morelli, Itali; Irene Saëicka, Poloni; Leonardo Maria Savoia, Itali, etj

Kuvendi çelet më 25 nëntor në orën 9.00 me përshëndetjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akademiku Skënder Gjinushit, Kryetares së Kuvendit zonja Lindita Nikolla dhe drejtuesve të institucioneve të larta të vendit. Në emër të albanologëve të huaj do të përshëndesë Lucia Nadin (Itali).

Gjatë ditëve të këtij kuvendi Tirana do të bëhet qendra e diskutimeve dhe e arritjeve më të fundit në fushën e shkencave albanologjike

Prej vitit 1972, kohë kur u mbajt në Tiranë Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Ilire, i cili bëri një bilanc të plotë të të gjitha arritjeve që ishin shënuar deri në atë kohë në fushë të historisë së shqiptarëve, prejardhjes së tyre, të gjuhës shqipe, duke treguar vijimësinë iliro-shqiptare përmes argumenteve historikë, arkeologjikë dhe gjuhësorë, e deri më sot, gati 50 vjet më vonë nuk ka pasur një aktivitet të këtyre përmasave që e kthejnë Tiranën në qendër të studimeve albanologjike.

Këtë vit, pra në vitin 2021 Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizojnë Kuvendin e Studimeve Albanologjike për ta ridimensionuar kuptimin dhe përmbajtjen e albanologjisë dhe disiplinave të saj: vijimësia iliro-shqiptare, shqipja si gjuhë indoeuropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët motra të kësa familjeje, trashëgimia e shqiptarëve në trojet etnike do të pasurohen në këtë Kuvend edhe me vështrime nga disiplina e antropologjisë, etnomuzikës dhe përmes analizave që mbështeten në teoritë moderne e që do të hedhin një dritë të re për origjinën, gjuhën, kulturën dhe qytetërimin shqiptar në trojet e veta.

Kuvendi ka komitetin organizues dhe atë shkencor, si dhe ka edhe një bord nderi të cilit i prin shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare dhe mjaft personalitete të tjera shqiptare dhe të huaja.

Do të mbahen tri seanca plenare në datat 25, 26 dhe 27 nëntor, pastaj do të vazhdohet për tri ditë resht me dy seanca paralele të pasditeve rreth katër temave themelore: histori, gjuhësi, antropologji dhe studime letrare.

Një tjetër vlerë e Kuvendit është se synon të krijojë rrjetin e shkollave, qendrave dhe individëve që merren me albanologji në të gjithë botën. Do të krijojë mundësinë që albanologët e ftuar dhe organizatorët shqiptarë të dëgjojnë njëri-tjetrin.

Ky kuvend do të qartësojë gjendjen e albanologjisë sot dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga një kohë në tjetrën. Do të konfirmojë arritjet e albanologjisë te ne dhe do të bëjë një bilanc krahasues me albanologjinë në qendrat e tjera dhe me vetveten në të shkuarën. Do të verifikojë e rikonfirmojë tezat bazë të albanologjisë si strategji shkencore për të ardhmen.

Mbështetur në ligj Akademia e Shkencave të Shqipërisë po luan rolin e saj që të drejtojë dhe të orientojë kërkimin shkencor në vendin tonë duke zgjeruar marrëdhëniet e saj dhe duke përfshirë në strukturat e saj dijetarët më të mirë shqiptarë brenda e jashtë vendit.

Pas suksesit të Konferencës Ndërkombëtare të Nanoteknologjisë, Kuvendi i studimeve albanologjike shënon një hap të ri në hullinë e veprimtarive të mëparshme të këtij institucioni.

Kuvendi i studimeve albanologjike shënon gjithashtu edhe një shkallë të re në vështrimin e dukurive të historisë, arkeologjisë, gjuhësisë, antropologjisë e letërsisë sepse tani qendrat e Studimeve albanologjike të Tiranës dhe Prishtinës janë pasuruar me dijetarë të rinj që sjellin në këtë anë të dijes shqiptare teoritë moderne të vështrimit të dukurive tradicionale albanologjike.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy