
Në kuadër të Javës së Evropës 2025, mbrëmë u çel në ambientet e Qendrës Kulturore "Tulla" në Tiranë ekspozita e Redina Qoses, titulluar “Kah po nisen dallëndyshet?”.
Kjo ekspozitë trajton tema të rëndësishme si migrimi, identiteti dhe kujtesa, duke përdorur teknikën tradicionale të qilimave dhe duke realizuar një bashkëpunim me gra artizane.
Ajo është një ftesë për reflektim mbi pyetje themelore si çfarë marrim me vete kur largohemi dhe çfarë lëmë pas, duke përshkruar nëpërmjet arteve pamore procesin e largimit dhe ruajtjen e kujtimeve.
"Kah po nisen dallëndyshet?" është një instalacion vizual që flet pa fjalë për rrënjët, largimin dhe kujtimet që ndjekin çdo individ kudo që shkon. Ky projekt artistik është realizuar në bashkëpunim me gra artizane, që kanë kontribuar në krijimin e qilimave dhe elementeve të tjerë tradicionalë të artizanatit shqiptar.
Ekspozita u vizitua nga një numër i madh njerëzish, përfshirë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili e vlerësoi lart mesazhin dhe rëndësinë e saj kulturore dhe sociale.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë deri më 29 maj, nga ora 09:00 deri në 17:00, në Qendrën Kulturore Tulla në Tiranë.

Përveç kësaj ekspozite, Java e Evropës 2025 do të vazhdojë me një ngjarje tjetër interesante në Korçë më 26 maj në Teatrin "Andon Zako Çajupi", ku do të shfaqet drama "Gjuha Mëmë".
Kjo shfaqje, e krijuar nga Ema Andrea, Aida Talliente dhe Elvira Buonocore, është ndërtuar mbi dëshmi të vërteta dhe zërin e grave, dhe reflekton mbi kujtesën, identitetin dhe rëndësinë e traditës.
Një udhëtim prekës dhe intim në historitë e grave shqiptare dhe forcën e heshtur pas çdo fjale të lënë të pathënë.



