
I bukur, i rafinuar, joshës dhe… pijedashës. Agjenti ikonik i shërbimeve sekrete britanike (personazhi i serisë fiksion), James Bond, ka një problem të madh me alkoolin.
Mund të duket si konstatimi i një adhuruesi të serisë “Agjenti 007”, por në fakt është konkluzioni i një studimi të mirëfilltë, që është publikuar së fundmi në revistën “Medical Journal Australia”.
Për shkak të tematikës, studimi është vlerësuar me çmimin për kërkimin më të çuditshëm. Hulumtuesit e Universitetit të Otagos kanë analizuar 24 filma të serisë “James Bond” nga viti 1962-2015, duke konkluduar se agjenti sekret ka pirë alkool në sasi të mëdha përgjatë 60 viteve në ekran.
Përtej preferencës së tij për vodka me “Martini”, Bond shfaqet në ekran si konsumues i vodkës me shampanjë, por edhe tek-tuk ndonjë birre. Madje në një episod të veçantë, një kokteil xhin-vodka i konsumuar prej tij ka 24 njësi alkool, një sasi që konsiderohet potencialisht vrastare.
Por kjo nuk është asgjë në krahasim me sasinë që përshkruhet në libër: deri në 50 njësi në ditë, një nivel që do të vriste çdonjërin.
Bond angazhohet në veprime të rrezikshme nën efektin e alkollit. Që nga ndjekja me makina, përdorimi i aparaturave të komplikuara, aksioni tipik për një atlet apo seksi me gratë që luajnë në fushën e armikut, të gjitha këto skena përfshijnë alkoolin.



