
Vepra “Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në 1 qershor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Jemi shumë të kënaqur që do të celebrojmë së bashku ngjitjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të kësaj vepre që vjen si një bashkëpunim mes TKOBAP dhe Teatro Regio Di Parma.
Një staf i gjerë artistësh dhe prapavije, shqiptarë e të huaj, janë bërë bashkë për të sjellë një shfaqje madhështore.
Ky është një bashkëpunim, tha Margariti, që me siguri nuk do të ishte kurorëzuar pa investimin madhor që është bërë në këtë teatër.
Kjo shfaqje në Tiranë është edhe një moment historik, pasi ky produksion vjen nën atmosferën e vitit 1913, përmes skenografisë dhe kostumografisë së krijuar në atë periudhë dhe të restauruar së fundmi.
Pra bashkë me këtë vepër vjen edhe një copëz historie. Por kjo shfaqje shënon edhe hapjen e Javës Kulturore Italiane, që do të pasohet me një kalendar të pasur aktivitetesh.
Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë nga sot deri më 7 qershor, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore.



