
Më 18 qershor 1946 në Dragobi të Tropojës, lindi këngëtarja dhe Artistja e Merituar Fatime Sokoli, e cila konsiderohet si këngëtarja e dhimbjes dhe krenarisë kombëtare. Gjatë viteve të saj aktive në skenën folklorike, Sokoli, zëri piskatës i Tropojës, ishte nga këngëtaret më të njohura të vendit. U shqua, veçanërisht, për këngën "Jam një çikë nga Dragobia". Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet. Ndërroi jetë më 12 gusht 1987, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme. Fatime Sokoli kujtohet si artiste që la mbresa të pashlyeshme, duke i falur shqiptarëve emocione me zërin dhe talentin e saj.



