Muzeu Historik Kombëtar e çeli sezonin e tij të aktiviteteve me promovimin e revistës shkencore “Studime Muzeologjike”.
Në numrin 11-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.
Ajo synon të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe të nxisë veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë dhe restaurimit të objekteve muzeore.
Dalja në qarkullim e “Studime Muzeologjike nr. 8” u bë e mundur përmes punës së një redaksie të zgjeruar e mjaft të kualifikuar, anëtarë të së cilës janë: Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Vasil Tole, Prof. Dr. Piro Misha, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, Dr. Skënder Bushi dhe Andrea Llukani.
“Synimi kryesor i revistës nuk është të shpjegojë vetëm elementet që ne i kemi në muze, por ti vendosim në një rrafsh krahasimor bashkë me kushtet e tjera muzeologjike, siç është në botë. Për të krijuar sfidat tona si muzeolog dhe të bëjmë të mundur që përmes objekteve të sjellim një histori më të sinkretizuar të aspekteve të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.”, u shpreh Dorian Koçi, drejtor i Muzeut.
Ky botim i 11 i dedikohet disa prej elementëve kyç të historisë së Shqipërisë siç është periudha e pranisë së hebrenjve në trojet shqiptare.
“Për sa i përket hapësirës hebraike, ajo vjen si një kontribut për të treguar praninë e hebrenjve në Shqipëri. Ajo që është pasqyruar në tekst është nëpërmjet një leximi se ku është e gjenden gjurmët e tyre dhe çfarë mund të bëhet për muzealizim e kësaj pranie të hebrenjve edhe pse jo ndërtimi i një itinerari kulturor.”, tha Koçi.
Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, konservimit dhe restaurimit.
Revista përmban 14 shkrime me tema të ndryshme:
Dr. Dorian Koçi, ka botuar artikullin me temë: “Muzealizimi i historisë së pranisë dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri”;
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi me temën “Gjaku arbëror për Vilajetin e Janinës në katër epoka”;
Prof. Asoc. Dr. Bashkim Vrekaj me temën “Demetër Fari, komandant ushtarak, rregjent, mbret dhe këshilltar politik”;
Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi me temën “Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Balli Kombëtar gjatë muajve tetor-nëntor 1943”;
Prof. Asoc. Dr. Jaho Cana me temën “Martesa labe sipas traditës zakonore në Tepelenë”;
Dr. Eduart Caka me temën “Ridimensionimi i figurës së Ali Pashë Tepelenës në historinë e Shqipërisë duke u përqendruar në aspektin e bamirësisë”;
Dr. Denisa Tare me temën “Jeronim De Rada dhe roli shtypit arberesh në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare”;
Ma. Alma Mile me temën “Censura gjatë mbretërimit të Zogut I në Shqipëri, ndalimi i librave dhe periodikëve”;
Ma. Brunilda Prifti me temën “Musine Kokalari, Muza e dënuar e letërsisë shqipe”;
Ylli Sulaj me temën “Bartëset e traditës dhe kujtesës. Një vëzhgim mbi disa personazhe femërore në veprat e Ismail Kadaresë dhe bartjes prej tyre të paradigmave të kohës, kujtesës, traditës, legjendës dhe mitit”;
Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamati me temën “Mbi konservimin e shpatave”;
Fjoralba Prifti me temën “Ikona, Maria (Theotokos) – Nëna, hyjnore mrekullibërëse”;
Andrea Llukani me temën “Ikonat mariane në Muzeun Historik Kombëtar”;
Spiro Nika me temën “Objekte nga Antigonea në Muzeun Historik Kombëtar”.



