
Leonardo DiCaprio del në fushëbetejë për pyjet e Amazonës: nëse vendet e G7-ës kanë vendosur të japin një ndihmë prej 20 milionë dollarësh për zjarret e pyjeve brazilianë, fondacioni mjedisor “Earth Alliance”, për krijimin e të cilit aktori amerikan ka kontribuar, ka dhuruar një fond urgjence prej 5 milionë dollarësh. Aktori ka shpërndarë në rrjete sociale mesazhin e postuar nga fondacioni.
Fondet janë të paracaktuara për komunitete indigjene dhe partnerë të tjerë lokalë që punojnë për të mbrojtur biodiversitetin e Amazonës kundër përhapjes së zjarreve. DiCaprio ka publikuar gjithashtu një seri videosh dhe imazhesh në "Instagram" dhe ka ftuar ndjekësit që të kontribuojnë financiarisht: "Të gjitha dhurimet tuaja do të shkojnë për partnerët që punojnë në fushë. Pa Amazonën, ne nuk mund ta kontrollojmë ngrohjen e Tokës… Amazonës i duhen më shumë sesa lutjet tona”, ka thënë ai ndër të tjera në postimin e tij. /Ansa/



