Një koleksion dokumentesh nga autori i famshëm çek Franc Kafka është publikuar tani online pas restaurimit, katalogimit dhe digjitalizimit.
Koleksioni i digjitalizuar përfshin tre drafte të historisë së shkruar nga Kafka "Wedding Preparations in the Country" (Përgatitjet për dasmën në fshat), një fletore ku ai praktikonte hebraishten dhe qindra letra personale, skica dhe ditare udhëtimesh.
Kafka e zbuloi talentin e tij për të skicuar në vitin e parë në universitet. Vizatimet e tij janë kryesisht karikatura groteske të njerëzve, që takonte ose skica të vetes.
Max Brod, një mik të cilit Kafka i besoi detyrën e djegies së librave të tij pas vdekjes në vitin 1924, ja la dorëshkrimet Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.
Brodi nuk pranoi t'i digjte, por i publikoi ato dhe kështu Kafka u bë i njohur si një ndër autorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të.
Pas vdekjes së Brod-it në 1968 koleksioni i Kafkës u zhduk dhe Biblioteka Nacionale u përfshi në një konflikt 11-vjeçar për bashkimin e koleksionit.
Hetuesit e kërkuan koleksionin në Gjermani, Zvicër dhe në kasaforta bankare në Izrael.
Grupi i fundit i letrave arriti në Izrael në vitin 2019.
Nëse nuk do ishte për Max Brod, veprat e Kafkës do të ishin zhdukur përjetësisht. Kafka ndërroi jetë në vitin 1924 në moshën 41-vjeçare pas një beteje 7 vjeçare me tuberkulozin. 15 vjet më vonë shoku i tij Brod, një shkrimtar çifut çek, u arratis nga Çekosllovakia e pushtuar nga nazistët drejt Tel Avivit.
Ai i mori veprat e Kafkës me vete në një valixhe dhe i publikoi ato. Max brod shkoi në testamentin e tij, se pas vdekjes së tij letrat do t'i jepeshin Bibliotekës Kombëtare të Izraelit . Ai ja la koleksionin sekretares së tij Esther Hoffe dhe i kërkoi që t'i dërgonte në Bibliotekën Kombëtare. Megjithatë, ajo i mbajti për vete letrat në shtëpinë e saj në Tel Aviv dhe disa të tjera në kasaforta në Izrael dhe Zvicër, deri ditën që ndërroi jetë në vitin 2007.
Në vitin 1988 ajo shiti dorëshkrimin e veprës “Procesi” për 2 milion dollarë. Pas vdekjes së sekretares Biblioteka i bëri kërkesë vajzës së saj, që të dorçzonte pjesët e mbetura të dorëshkrimeve, por kërkesa e tyre u refuzua dhe kështu nisi procesi gjyqësor.
Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi, që dorëshkrimet do t'i jepeshin bibliotekës. Hetuesit filluan të kërkonin në apartamentin e sekretares, ku zbuluan se vendi ishte pushtuar nga macet dhe një pjesë e dokumenteve ishte dëmtuar.
“Letrat e Franc Kafkës do të bashkohen me miliona objekte të tjera, që kemi publikuar online gjatë viteve të fundit, si pjesë e përpjekjes sonë për të ruajtur dhe për t'i kaluar pasuritë kulturore brezit të ardhshëm,” tha Oren Weinberg, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.
“Shume vite pasi këto letra ishin të paarritshme për publikun, tani jemi krenarë t’i ofrojmë lirisht për të gjithë studiuesit dhe miliona fansa të Kafkës në Izrael dhe në mbarë globin.”/BBC/Përktheu: Ina Merlika/



