
Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor, i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, për tri ditë rresht u shndërrua në një festë të dijes, ku u prezantuan botime të reja dhe u vlerësuan arritjet më të spikatura në fushën e shkencës dhe kulturës.
Çmimi prestigjioz “Vepra më e mirë studimore” e akorduar nga QKLL iu akordua akademikut të asociuar Rrapo Ormëni, për përgatitjen e kolanës madhore me katër volume “Akademik Eduard Sulstarova – Vepra të zgjedhura në fushën e sizmologjisë”.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit znj. Arta Marku theksoi se kjo vepër është një monument shkencor, që jo vetëm ruan trashëgiminë e një figure të shquar, por edhe hap horizonte të reja për kërkime në fushën e sizmologjisë dhe gjeoshkencave.
Përmes këtij botimi përmblidhen e dokumentohen kontributet më përfaqësuese të tij në fushën e sizmologjisë, duke i paraqitur ato si dëshmi e zhvillimit shkencor në vend dhe si burim frymëzimi për brezat e rinj të kërkuesve shkencorë.
Botimi përfaqëson një arkiv shkencor dhe kulturor të pazëvendësueshëm, ku dokumentohet evolucioni shkencor dhe institucional i sizmologjisë shqiptare nga fundi i viteve ’60 deri në vitin 2011.
Në këtë vepër evidentohet rolin themeltar i Akademikut Eduard Sulstarova (1934–2014) si pionier i monitorimit sistematik sizmik në Shqipëri. Kontributet e tij vizionare u zhvilluan në bashkëpunim me profesorët Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiaj, Betim Muço dhe shumë kolegë të tjerë, duke themeluar shkollën shqiptare të sizmologjisë.
Akad. Ormëni u shpreh se është nder dhe privilegj për mua që kontribuova në përgatitjen e këtij volumi të akademik Sulstarovës dhe ky çmim që jepet sot nga akademia e Shkencave të Shqipërisë është një vlerësim jo vetëm institucional, por edhe personal pasi tregon se puna e bërë kontributi i përkushtimit ndaj shkencës dhe mësuesit asnjëherë nuk humbet.
Akademik Sulstarova ka dhe një kontribut të jashtëzakonshëm për sizmologjinë shqiptare.



