
Arkeologët gjermanë dhe kurdë kanë zbuluar rrënojat e një vendbanimi që i përket epokës së bronzit në bregun lindor të lumit Tigër, në rajonin e Kurdistanit, Irak.
Kompleksi i lashtë i banimit në Kemun daton që në shekujt XV-XIV p.e.s., në kohën e perandorisë Mitanni, një popull pak i njohur.
Studiuesit e Universitetit të Tübingen-it dhe administrata kurde për antikitetin shpresojnë se mund të gjejnë të dhëna për politikën, ekonominë dhe historinë e këtij qytetërimi misterioz, në sajë të analizës së pllakave kuneiforme të zbuluara në vendbanimin e hershëm.
Rrënojat dolën në dritë për shkak të thatësirës, e cila uli nivelin e ujit të lumit Tigër.



