Regjisori Edmond Budina mbështetjen buxhetore për kineastët dhe filmat nga Ministria e Kulturës e cilëson mjaft të ulët.
Nga studio e “MCN Informacion”, ai deklaroi se kinemaja shqiptare sot ka vështirësitë e veta, duke pasur parasysh kohën kur jetojmë dhe çmimet janë rritur shumë dhe se kinemaja e ndjen nga pikëpamja financiare.
Nuk është e vërtetë që tashmë nuk ka kinema, në gjithë këto vite demokraci kinemaja ka funksionuar dhe është nga ato pjesë të artit që ka mundur të çajë.
Nëse në teatër kemi mbetur brenda Shqipërisë, kinemaja shqiptare është bërë e njohur në gjithë botën, ku kinemaja shqiptare ka shkuar në festivale dhe është vlerësuar me çmime. Nuk mund të thuash që kinemaja shqiptare nuk ekziston.
Është shumë e vështirë sot të realizosh një film, kryesisht për buxhetet e ulëta.
Kinemaja nuk duhet trajtuar si një art që është përherë në humbje dhe janë për zbavitje.
Kinemaja është fitim nga pikëpamja ekonomike, se duke bashkëpunuar me producentë të huaj, ata sjellin para tek ne. Hapet mundësi punësimi për fotografi, elektriçistë dhe gjithë ata që ndodhen në shesh xhirim.
Një punonjës i artit kinematografik nuk mund të punojë një herë në dy vjet. Ka shume kineastë në Shqipëri që mbajnë familjen me këtë profesion, nëse ky profesion duhet mbajtur në këmbë, duhet financuar në këtë drejtim. Sot buxhetet e kinemasë janë tepër të ulëta.



