Dirigjenti Eno Koço duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv tha se ka respekt për muzikën ruse, duke shtuar se nga pikëpamje e konceptit ajo është perëndimore.
Kam doemos respekt për muzikën ruse. Nuk është vetëm çështje respekti, por janë bazat e muzikës romantike. Muzika ruse nga pikëpamja e konceptit është perëndimore. I pari kompozitor rus Glinka ndenji kaq vite në Itali dhe absorboi gjithë atë teknikë të harmonisë perëndimore. Erdhi në Rusi dhe filloi ta ekspozojë këtë. Teknika ka qenë perëndimore, edhe në muzikën e tyre liturgjike. Vendi më i rëndësishëm për muzikë janë Gjermani-Austri. Baza kryesore e muzikës së përbotshme është kjo”.
Teksa u ndal te figura e Injac Ndojaj, dirigjenti u shpreh se ai la artikuj të mrekullueshëm që meritojnë të bëhen libër.
Koço vë në dukje se ai u mor me gjeologji dhe askush nuk i dinte lidhjet e tij me muzikën.
Ai shkruajti disa artikuj të mrekullueshëm. Mbaroi lufta, u mor me gjeologji, edhe askush s’e dinte që kishte atë dijeni për muzikën. Nuk përmendej Injaci. E citonin pa emër. Ai bëri klasifikimin e ahengut shkodran. Ky ishte nga të parët që e bëri. Merrej me instrumentet, çfarë është lahuta, si është e bërë. Me gjëra nga më të imëta. Një person që as pretendoi që merrej me muzikologji. Jetën e mbylli si gjeolog. Kaq e njihnin. Ajo që la pas janë ato artikuj të mrekullueshëm. Ato duan një njeri më të vullnetshëm se unë, t’i marrë dhe t’i bëjnë libër. Gabim që i paragjykojmë autodidaktët”.



