
Në qytetin e Korçës, prej disa ditësh kanë filluar përgatitjet për festën e Karnavaleve. Në shumë ambiente dhe sheshe të qytetit të serenatave po bëhen tashmë përgatitjet e kësaj feste, që kulmin e saj do ta ketë sonte në mbrëmje prej orës 18:30.
Festa e Karnavaleve të Korçës do të çeli zyrtarisht edhe sezonin turistik për këtë vit, ku ky qytet tashmë është shndërruar në destinacionin e preferuar të vizitorëve vendas dhe të huaj kjo për shkak dhe të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit.
Të gjitha grupet të veshura me kostume të ndryshme do të parakalojnë në një paradë të përbashkët në “Bulevardin Republika” e cila do të vijoj më pas në zonën e “Pazarit të vjetër” ku do të organizohet edhe një festë e madhe, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Korçës.

Këtë vit për festën e Karnavaleve, do të jenë të ftuar 26 grupe përbërëse. Janë paralajmëruar edhe ftesa për grupet jashtë qyteti siç janë dy grupe nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut dhe një grup nga qyteti i Durrësit.
Kostumet e përcaktuara për këtë festë janë të larmishme dhe këtë vit do të ketë maska dhe kostume të reja që bëhen pjesë për herë të parë.
Parada e fillimit të Karnavaleve ka filluar që në në orët e para të paradites së sotme, për të kulmuar më festën e pasdites.
Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme.
Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve `60, për të rinisur pas viteve ‘90.



