“Dasma e Zadrimës”, një nga traditat më të njohura kulturore të zonës, u organizua në Gjadër të Lezhës. Aktiviteti solli në vëmendje vlerat, zakonet dhe trashëgiminë kulturore të Zadrimës përmes veshjeve tradicionale, muzikës dhe elementëve karakteristikë të dasmës së dikurshme.
Ngjarja u organizua nga shkolla “Gjovalin Gjadri”, me mbështetjen e Bashkisë Lezhë, dhe u shndërrua në një atmosferë festive ku u ndërthurën tradita, mikpritja dhe promovimi i kulturës lokale.
Përveç nxënësve, mësuesve dhe banorëve të zonës, festës iu bashkuan edhe turistë të huaj, të cilët patën mundësi të njihen nga afër me këtë traditë.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Lezhë, Hasan Muça, tha se ky organizim është një mënyrë e mirë për të ruajtur dhe jetësuar kulturën dhe traditat e zonës.
“Dasma e Zadrimës” u vlerësua si një aktivitet që dëshmon rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së traditave tek brezat e rinj, duke u kthyer në një festë të identitetit dhe kulturës shqiptare.



