
Në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH, vjen në konkurrim dueti “Rri”, interpretim i përbashkët i Fifit dhe Tirit.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Fifi ndau emocionet e rikthimit në festival, pritshmëritë për këngën dhe reagimin e publikut që nga prezantimi i saj, deri te përjetimet e saj si nënë.
Jam person që zgjohem herët, sepse kam djalin që është shumë i lidhur me mua. Edhe dado më ndihmon, por çuni është megaprioriteti im.
Që kur jam bërë nënë, jam bërë shumë më emocionale kur bëhet fjalë për të, ndërsa për të tjerët jam bërë më strikte. Është e rëndësishme të mbash veten me këmbë në tokë.
Sa i përket rrugëtimit artistik, gjatë viteve kam eksperimentuar me stile të ndryshme.
Përpos baladave, kam provuar stile të tjera që më kanë rezultuar shumë mirë, disa jo aq të suksesshme.
Fifi shpjegoi se bashkëpunimi me Tirin ka ardhur shumë natyrshëm.
Ky rikthim në festival me Tirin mendoj se është i denjë.
Kam pasur gjithmonë nevojë të kem pranë artistë që bëjnë muzikë të bukur.
Kur ke një muzikant afër vetes që të jep harmoni, siç më ka dhënë Tiri me kitarën e tij, të ndryshon krejt rrjedhën dhe mënyrën e punës. Tiri gjithmonë të dëgjon, të pret, merr kitarën dhe futet në botën e vet. Kështu lindi edhe kënga ‘Rri’, pa nevojën e shumë ftesave e diskutimeve.”
Mua më erdhi ftesë zyrtare për të marrë pjesë në Fest64, por i thashë vetes, këtë vit nuk hyj në asnjë formë. Pastaj vendosa që nëse një këngë e imja vjen në festival, duhet të vijë patjetër me Tirin.
Kënga nisi të më pëlqente shumë, ndamë pjesët dhe në momentin e fundit e thirra: ‘Hajde në studio, merr kitarën’.
Kënga “Rri” është një material që jep ndjesi të forta.
Ka këngë të bukura, interesante e të fuqishme në festival, por jo të fuqishme si e jona. Urojmë që konkurrenca të jetë e mirë dhe reale.



