Në Tiranën e një të ardhmeje alternative, shtatë njerëz krejtësisht të ndryshëm dhe të panjohur me njëri-tjetrin, i bashkon përpjekja për t’i shpëtuar fundit të botës. Ky lajm i kobshëm i jep fund planit të njërit prej personazheve për t’u vetëvrarë dhe për të gjithë së bashku nis një udhëtim i ri në kërkim të mundësisë për t’i shpëtuar katastrofës nukleare.
Bar “Kandrra”, ku ata janë izoluar, kthehet në skenën ku ata bëjnë llogaritë me të shkuarën dhe të ardhmen e pasigurt. Dinamikat e marrëdhënieve të personazheve çlirojnë një sërë rrëfimesh, që shpalosin një realitet distopik.
Dritan Sulçebe ka vendosur të vijë te lexuesi shqiptar me një zhanër pak të lëvruar në Shqipëri. “Kohë Astrale” i përngjan një rrugëtimi që nxjerr në pah absurditetin e realitetit të sotëm dhe njëkohësisht aspektin mistik që e shoqëron njeriun përgjatë gjithë ekzistencës së tij.



