
Duket një histori e denjë për një libër të Dan Brown-it. Një pikturë që mendohet se është një nga kryeveprat e humbura të piktorit të Rilindjes europiane, Mikelanxhelo, është vjedhur nga një kishë në Belgjikë vetëm pak ditë para se ekspertët të bënin verifikimin e saj.
Hajdutët kanë hyrë në kishë në mes të natës dhe kanë marrë prej andej pikturën që vetëm pak orë më vonë do të ekzaminohej nga ekspertët, të cilët do të përcaktonin nëse ajo vërtet i përket piktorit të shekullit të XVI. Nëse kjo konfirmohet, piktura mund të vlerësohet rreth 100 milionë dollarë.
Pasi i ishte dhuruar nga një prift, piktura kishte qëndruar në një cep të kishës për rreth 16 vjet. Por një ditë, një prej priftërinjve që shërbenin aty vuri re ngjashmëritë me një tjetër vepër të Mikelanxhelos.
Pas kësaj, kisha mori një fond për të instaluar një sistem alarmi, por e përdori për të restauruar një pjesë të saj. Kjo ua bëri më të lehtë punën hajdutëve, të cilët siç treguan hetimet më pas, ishin të interesuar vetëm për pikturën në fjalë.



