
Vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë të prezantuara nga grupet artistike të fëmijëve u pasqyruan në edicionin e 27-të festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” në Kurbin, Laç.

Të veshur me kostumet tradicionale të vendeve të tyre, grupet artistike nga Shqipëria, Kosova, Ukraina, Mali i Zi, Turqia, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, përmes këngëve, valleve e lojërave popullore kthyen sheshin e qytetit në një arenë të artit dhe kulturës, shkroi në rrjete sociale kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.
Festivali “Luajmë dhe vallëzojmë” synon të forcojë miqësinë mes fëmijëve në Ballkan dhe më gjerë, nxisë ruajtjen e identitetit dhe traditës popullore në një botë gjithnjë e më të hapur drejt globalizimit, si dhe të promovojë qytetin e Laçit.







