Studiues dhe akademikë të shumtë janë mbledhur sot në një konferencë shkencore, në përvjetorin e dyfishtë të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit.
Konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave, është përshëndetur nga Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi lartë figurat e ndritura të Migjenit dhe të Dritëroit.
“Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin te dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.
Dritëroi ishte e mbetet një prej figurave emblamatike të letrave e te Akademise se shkencave. Ai është një ndër vlerësuesit e mbrojtësit e Akademisë e te akademizmit në Shqipëri edhe në ditë të vështira dhe është në nderin tonë të kujtojmë e vlerësojmë figurën e veprën e tij.
Për këtë dëshiroj të falënderoj gjithë kontribuuesit e kësaj konference duke përmendur posaçërisht ata që vijnë nga më larg prof. e mikun tonë Pëllumb Kulla, prof. e akademikun Ali Aliu, prof. Bajram Kosumin e prof. Merxhan Avdylin, të gjithë ata që bashkëpunuan në organizimin e kësaj konference.
Ne zgjodhëm si shenjë për këtë konferencë e përvjetor botimin e diplomës së Dritëroit për Migjenin. Kjovetëzgjedhje nga ana e Dritëroit, paraflet për çka do të bëhej ai vet.
Nuk është rastësi që dy kollosët tanë të letërsisë Kadare e Agolli u morën me Migjenin, duke e cilësuar atë si një meteor që shkëlqeu në kalim e sipër apo si një uragan që u ndërpre, cilesime të cilat shkojnë po aq për vetë ata, por që fatmirësisht për letrat shqipe shkëlqimi e uragani krijues i tyre qëlloi jetëgjatë. Dritëroi ka shkruar pa ndërprerje për mbi 60 vjet radhazi. Ai, së bashku me Ismail Kadarenë, donte një letërsi të re, të një shekulli të ri dhe e realizoi atë.
Brezat që kanë jetuar në një kohë me shkrimtarin Dritëro Agolli; bashkëkohësit e tij, do të mbahen mend si breza me fat. Në personalitetin intelektual të Dritëro Agollit çmohet qe ne adoleshence figura e një prej antifashistëve më të rinj në moshë, që, si një partizan i vogël, siç ka shkruar ai vetë, iu bashkua një prej lëvizjeve më përparimtare të shekullit XX.
Dritëro Agolli është shkrimtar emancipues i poezisë shqipe në shqetësime dhe në teknika. Para gjashtë dekadash shkruante: Traditë po, por jo shtampë, dhe i qëndroi besnik sloganit që propozoi vetë.
Një prej kryevlerave të veprës së tij është se, e shtrirë në dy kohë, të përkundërta ideologjikisht me njëra-tjetrën, ajo ruan njëjtësinë e saj, si vepër humaniste, pa asnjë kontradiktë të brendshme dhe pa asnjë kundërthënie mes vedi.
Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet një figurë konvergjente për shoqërinë shqiptare. Kjo është fuqia e një karakteri të fortë njerëzor, që, me veprën e tij, hapi udhë më shumë se ndoqi udhë. Shumë është folur e do të flitet për veprën e tij. Është lëvduar e është qortuar, është laureuar e është penguar.
Vepra e tij i ka provuar të gjitha: i ka provuar dhe nuk ka luajtur nga vendi.
Përqasjen që duhet të kemi ndaj veprave e figurave të tilla si Migjeni e Agolli na e ka treguar vetë Dritëroi si studius. Në to, ashtu si në dy studimet e tij për Migjenin, ai dëshmon se si studiuesit profesionistë e opinioni i shëndoshë, dinë të vlerësojnë veprat dhe autorët e tyre nga vlerat që mbartin si të tilla, të pandikuar nga diferencat a indoktrinimet politike. Dhe për ta, për opinionin e gjerë e atë intelektual vepra e Migjenit e ajo e Agollit do të vlerësohen e çmohen gjithmonë.
Nderimi ynë sot iu drejtohet atyre, iu drejtohet lartësive të dy brezave, prej të cilëve letërsia shqipe ka marrë e do të marrë frymëzim e ndriçim. Dikur Agolli ka thënë se Akademia e Shkencave është pasuri kombëtare, të tillë do të mbeten edhe këto dy figura të letrave shqipe Migjeni e Agolli“ .
E veçanta e kësaj konference, veç kumtesave të pazgjedhura ishte edhe paraqitja e librit "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe Botimi shqip i Tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, që rrëfen një fill të bukur lidhës mes shpirtit dhe talentit dhe shpirtit të ndjeshëm të dy shkrimtarëve.






