
Një atmosferë e veçantë artistike pushtoi mbrëmjen e së shtunës qytetin e Korçës, ku publiku korçar mirëpriti koncertin e Filharmonisë së Kosovës përmes muzikës klasike dhe krijimtarisë shqiptare.
Koncerti u drejtua nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa si soliste në skenë u ngjit violinistja e njohur Sihana Badivuku. Programi artistik ndërthuri klasikët botërorë me muzikën shqiptare bashkëkohore.
Në repertor u interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur si Verdi dhe Saint-Saëns, por një vend të veçantë zuri edhe krijimtaria shqiptare, me vepra të kompozitorëve kosovarë dhe shqiptarë.
Emocione të forta përcolli interpretimi i “Serenadës Korçare”, e orkestruar në një version të ri nga Gridi Kraja, e cila u prit me duartrokitje të shumta nga publiku.
Gjatë fjalës së tij, dirigjenti Baki Jashari u shpreh se vizita e parë në Korçë ishte një emocion i veçantë për të dhe për orkestrën, duke vlerësuar traditën kulturore të qytetit dhe publikun artdashës.
Përfaqësuesit e Filharmonisë së Kosovës theksuan se ky koncert shënon nisjen e një bashkëpunimi kulturor mes Korçës dhe Prishtinës, i cili pritet të vijojë me aktivitete të tjera artistike në të ardhmen, përfshirë edhe një koncert të Orkestrës së Korçës në Prishtinë.
Në këtë mbrëmje u interpretuan gjithashtu vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova, mes tyre Fahri Beqiri, Valton Beqiri dhe Hajrulla Syla, duke sjellë për publikun korçar një panoramë të pasur të muzikës simfonike shqiptare.
Koncerti u prit me interes të madh dhe u kthye në një tjetër dëshmi të lidhjeve të forta kulturore dhe artistike mes Shqipërisë dhe Kosovës.



