
Muzeu Historik Kombëtar ka iniciuar aktivitetet edukative-argëtuese përmes veprimtarisë “Muzeu Lëvizës”.
Nisma nisi me udhëtimin për në shkollën 9-vjeçare “Ali Laçej” në Shkodër ku një autobus i zakonshëm u shndërrua në një ekspozitë të jashtëzakonshme, duke i ofruar nxënësve një mundësi unike për t'u njohur me historikun e veshjeve popullore të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Pjesë e kësaj veprimtarie ishin edhe projekte të tjera interesante, si “Arkeologu i vogël”, ku fëmijët patën mundësinë të ishin arkeologë për një ditë.
Po ashtu, përmes projektit "Xhubleta”, ata mësuan për rëndësinë e xhubletës në kulturën shqiptare, ndërsa u argëtuan me lojërat “Mos u nxeh-Durrës” dhe “Mos u nxeh-Korçë”, duke zbuluar imazhe që identifikojnë trashëgiminë kulturore të këtyre qyteteve.




