
Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve së shpejti pritet t’i kthehet studentëve e artistëve sipas standardeve bashkëkohore, por edhe duke ruajtur brenda saj trashëgiminë kulturore, ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë inspektimit të sotme të punimeve për restaurimin e kësaj salle.
“Kur i vumë vetes synim restaurimin e Sallës së Koncerteve të Universitetit të Arteve, skeptikët ishin të shumtë, madje pak besonin se do ia dilnim. Falë një fryme të re bashkëpunimi me TAP-Shqipëri, që iu bashkua vizionit tonë për rijetësimin e kësaj salle historike, këtij poli të ri kulturor, po punohet me hapa të shpejtë në përforcimin e strukturës së godinës, punimet në sistemin mekanik e elektrik, si dhe fasadën e saj”, nënvizoi Margariti.
Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences.
Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundojnë brenda prillit të vitit 2022.



