Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare/ 14-19 prill, nis ‘Java ndërkombëtare e Polonisë’

Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare/ 14-19 prill, nis ‘Java ndërkombëtare e Polonisë’

Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen në sezonin e katërt, që premton një tjetër kapitull të veçantë në historinë e dialogut ndërkulturor.

Këtë vit, rrugëtimi nis me Poloninë, e cila për herë të parë bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Nga data 14 deri më 19 prill, Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra përmes traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi.

Java Kulturore Polake 2025 fillon sot (14 prill) në orën 19:00 me një aktivitet hapjeje te instalacioni “Reja”. Ansambli Polak i Këngëve dhe Valleve “Silezia” do të interpretojë valle tradicionale polake dhe do të përfshijë publikun në një kërcim spontan “Polonez”, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit të UNESCO-s. Në skenë, atyre do t’iu bashkohet edhe Ansambli i Këngëve të Valleve Popullore (AKVP). Të nesërmen, do të ofrohet një seancë mësimore e vallëzimeve tradicionale polake për studentët e Fakultetit të Kërcimit në Akademinë e Arteve.

Monika Filipina, një autore dhe ilustruese polake e librave për fëmijë, e vlerësuar me çmime, do të zhvillojë Ëorkshope Arti për fëmijët në Teatrin e Kukullave. Monika Filipina ka shkruar dhe ilustruar mbi 50 libra të botuar në mbarë botën, në më shumë se 20 gjuhë. Ajo do të takojë gjithashtu fëmijë, prindër dhe edukatorë, në Shtëpinë e Evropës, për të shpjeguar se si lindin tregimet dhe për të paraqitur një përzgjedhje të veprave të saj.

Shfaqja e dy filmave polakë, në Akademinë e Arteve, do t’i ofrojë publikut një mundësi për t’u përfshirë në bashkëbisedim me regjisoren e filmit fitues të çmimeve ndërkombëtare, Joanna Kos-Krauze, mbi tema sa individuale, aq edhe universale. “Papusza” (Papusha – në gjuhën rome) tregon një histori unike të një poeteje rome (cigane), poezia e së cilës, e zbuluar rastësisht, tregon diversitetin e kulturave në Poloni. “Birds Are Singing in Kigali” (“Zogjtë po këndojnë në Kigali”)  trajton përvojën e krijimit dhe transmetimit të traumës. Pas shfaqjeve, znj. Kos-Krazue do të zhvillojë një seancë mësimore me studentët e Fakultetit të Teatrit dhe Filmit, në Universitetin e Arteve.

Dy trajnerë profesionistë të Federatës Polake të Volejbollit do të zhvillojnë seanca stërvitore me një grup të rinjsh shqiptarë të shkollës “Ismail Qemali”. Gjatë stërvitjeve do të përzgjidhen ekipe lojtarësh, për të luajtur një ndeshje finale me ekipet e trajnuara nga Federata Shqiptare e Volejbollit, në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”.

Javën kulturore polake do ta mbyllin koncertet e grupit polak të xhazit JAH Trio, si pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në Shqipëri. Grupi do të performojë në Tiranë dhe Shkodër, në formacionin e tij të plotë: Jan Jarecki – piano, Michał Aftyka – kontrabas, Marcin Sojka – bateri. Michał Aftyka është fitues i çmimit “Fryderyki”, që është vlerësimi më i rëndësishëm në industrinë muzikore polake.

Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 do të sjellin një atmosferë të veçantë në vend.

Të gjitha këto do të shpalosen përmes performancave, ekspozitave, punëtorive, shfaqjeve dhe ngjarjeve të ndryshme kulturore dhe edukative.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy