
Në Ditën Botërore të Librit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e librit kanë çelur sot Panairin e III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore në Akademinë e Shkencave.
Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm i promovimit të botimeve të këtij lloji dhe autorëve të tyre.
Janë mbi 35 institucione pjesëmarrëse nga e gjithë hapësira shqiptare dhe rreth 74 tituj të rinj që promovohen në të trija ditët e panairit, ndërsa do të mbahen mbi 40 veprimtari promovuese.

Në ceremoninë e çeljes së panairit të tretë, Skënder Gjinushi, Kryetar i ASHSH, tha se synimi përmes këtij panairi është që nuk presin të vijë lexuesi te ta, porse ata të shkojnë te lexuesi.
Qëllimi ynë është që botimet shkencore, përmes panairit, të marrin atë vëmendje të kursyer, plotësisht të merituar, që, për shkak të natyrës së tyre, nuk e marrin dot gjatë gjithë vitit. Botimet akademike e shkencore nuk kanë lexues masiv, lexues popullor. Libri shkencor e tremb lexuesin me ngushtësinë disiplinare të problematikës e të formave të të shprehurit, e përzgjedh që në titull, përmes të cilit fton lexues selektiv.
Libri shkencor është më i vështiri për t'u lexuar por, më i miri për t'u informuar e i vetmi për t'u formuar.
Ne kemi vendosur që të mos presim ardhjen e lexuesit tek libri shkencor, por libri shkencor të shkojë tek lexuesi. Në ligjin tonë botimet shkencore-akademike nuk kanë qëllim parësor përfitimin ekonomik. Akademia e Shkencave, në kuadër të kësaj hapësire ligjore, dhuron rregullisht botimet e saj për bibliotekat albanologjike, universitare dhe publike.
Tri ditët e panairit janë tri ditë të promovimit të botimeve shkencore. Kjo jo vetëm për të vlerësuar e nderuar autorë e vepra, por edhe për të inkurajuar kritikën shkencore, e cila është në pikë kritike: në një pjesë të rasteve vetëm në nivelin e recensioneve, shpesh edhe këto formale; një pjesë tjetër polemike e inatçore; në pjesën më të madhe krejtësisht e munguar. Kritika shkencore është disiplinë, nuk është çështje vullnetarizmi. Ndërkohë që opinionet sundohen nga debatet pseudoshkencore, vepra shumë të rëndësishme mbeten pa asnjë vëmendje publike, madje edhe jashtë rubrikave javore televizive.
Ky panair, i kthyer tashmë në traditë (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, IAL-të, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.
Përmes aktiviteteve të ndryshme që do të zhvillohen përgjatë këtij panairi do ti jepet mundësi promovimit të botimeve, duke shënjuar arritjet e shkencës shqiptare përmes një viti.
Nderojmë përmes dy çmimeve të dedikuara, do të zgjidhet vepra më e mirë albanologjike dhe studimore të vitit.
Ky panair organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit QKLL.



