
“Historia e Ushtarit”, një nga veprat më të arrira dhe më sfiduese të kompozitorit të njohur Igor Stravinsky, erdhi mbrëmjen e së shtunës në Durrës, në një interpretim mbresëlënës të instrumentistëve të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura.
Ky ishte një rikthim pas më shumë se një dekade, që solli në skenë një vepër me mesazh universal, ku fjalët dhe muzika ndërthuren në mënyrë harmonike, duke krijuar një pikë takimi mes teatrit dhe muzikës.
Shfaqja erdhi nën interpretimin e Ema Andreas, me drejtimin muzikor të mjeshtrit Florian Vlashi, dhe me pjesëmarrjen e instrumentistëve të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura.
“Historia e Ushtarit” është një përrallë muzikore pa kohë, ku ironinë dhe simbolizmin i gjejmë të ngërthyer në historinë e një ushtari që i shet shpirtin djallit, një rrëfim që vë përballë luftën dhe shtëpinë, fjalën dhe muzikën, njeriun dhe fatin.
Kjo vepër klasike, e interpretuar me profesionalizëm dhe ndjenjë, u prit me duartrokitje dhe emocion nga artdashësit durrsakë, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë arti dhe muzike në qytetin bregdetar.



