Një tjetër dritare mbi jetën dhe gjurmët e së kaluarës është hapur në zonën e Lushnjës.
Gërmimet e reja arkeologjike në sitin e Kodrës e Pusit kanë nxjerrë në dritë rrënojat e një banese të rrallë rurale, e cila daton nga mesi ose fundi i shekullit VI, periudhë që përkon me Antikitetin e Vonë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë detaje nga terreni ku po përdoren teknologjitë më bashkëkohore të dokumentimit shkencor, duke theksuar se këto kërkime ndihmojnë në zbardhjen e dinamikave të jetës antike në këtë zonë.
Siti arkeologjik u identifikua fillimisht pas një vëzhgimi sistematik nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.
Ky projekt ka shërbyer njëkohësisht edhe si një arenë praktike për studentët e këtij departamenti, të cilët u njohën nga afër me metodat moderne të kërkimit në terren.
Prania e një sasie të madhe tjegullash në sipërfaqe ishte treguesi i parë që kodra kishte qenë e banuar. Pas heqjes së shtresës së humusit, arkeologët arritën të evidentonin rrëzimin e plotë të çatisë së godinës, si dhe dyshemenë (nivelin e ecjes) të realizuar me dhé të ngjeshur.
Ky element i fundit vërteton se struktura nuk ka qenë një monument kulti apo ndonjë vilë luksoze, por një banesë tipike rurale e kohës.
Banesa ka një planimetri drejtkëndore, me përmasa 7,5 m x 9 m, me orientim lindje-perëndim dhe hyrjen kryesore nga ana lindore.
Muret e kësaj banese rurale kanë qenë të gjera 70-80 cm.
Gërmimet në këtë sit po vijojnë për të zbuluar materiale të tjera që mund të hedhin më shumë dritë mbi ekonominë dhe përditshmërinë e banorëve të kësaj banese rurale 15 shekuj më parë.



