Në Kodrën e Pusit, pranë fshatit Murrizë në Lushnjë, arkeologët po zbulojnë gradualisht themelet e një ndërtese me përmasa të mëdha.
Ndërsa gërmimet vijojnë me intensitet, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bën të ditur se të dhënat e deritanishme tregojnë se zona ka qenë e banuar gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë, duke ofruar informacione të vlefshme mbi zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të saj.
Sipas të dhënave paraprake, gjetjet i përkasin një periudhe që shtrihet nga epoka romake deri në Antikitetin e Vonë.
Gërmimet, nën kujdesin e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, do të vijojnë për të zbuluar më shumë detaje mbi funksionin e godinës dhe kontekstin e saj kulturor.



