Sanremo ka mbyllur natën e dytë me shifra rekord që prej vitit 1995. Me 9 milion 693 mijë spektatorë ose 53.3 për qind të audiencës, ajo e së mërkurës konsiderohet si nata e dytë më e ndjekur në 25 vitet e fundit.
Kulmi i shikuesve u regjistrua në orën 21:48, me 15 milionë 790 mijë shikues, në kohën kur në skenë krah prezantuesit Amadeus doli edhe showmani i njophur italian, Fiorello. Tjetër moment i rëndësishëm që ngjalli interes të jashtëzakonshëm ishte rikthimi në skenë i grupit “Richi e Poveri” (62.3%).
Në natën e tretë, prezantimi i Sanremos merr nuanca shqiptare. Alketa Vejsiu do të jetë në skenë krah Amadeus, ndërsa pjesën e saj të kohës në skenë ka edhe bashkëshortja e futbollistit, Ronaldo, Georgina Rodrigues.
Në një konferencë shtypi, Vejsiu e ka vënë theksin te lidhja e ngushtë e shqiptarëve me kulturën italiane.
“Së pari faleminderit Rai-t dhe Amadeusit, për këtë ftesë të veçantë, e cila është ëndrra e një kombi të tërë. Në Shqipëri, Sanremo ka qenë kolona zanore e shumë jetës. Ne i dimë mirë këngët tuaja dhe jetojmë me radion dhe televizionin italian. Për ne, Rai ka qenë dritarja e lirisë. Sytë e shqiptarëve janë me ju sonte, dhe gjithashtu ata të atyre që jetojnë në Itali, që janë 600 mijë. Jam e lumtur që më keni pritur siç vetëm ju dini të prisni. Jam më e lumtur se kurrë, në qiellin e shtatë, të qenit në kast është një privilegj për mua”, ka thënë Vejsiu.



