Ndërroi jetë artisti konceptual me famë botërore Frank Uwe Laysiepen, i njohur ndryshe me pseudonimin Ulay.
Përveçse për artin befasues dhe për risitë që solli me shfaqjet e tij, ai u bë shumë i njohur për bashkëpunimin artistik dhe lidhjen romantike me Marina Abramović, gjithashtu artiste konceptuale e mirënjohur në gjithë botën.
Ulay u takua me Abramović më 1976 në Amsterdam të Holandës dhe për 12 vjet së bashku ata u bënë ndër më të njohurit çifte artistike të epokës, me performancat e tyre të pazakonta e mbresëlënëse.
Kur vendosën të ndaheshin, ata i dhanë fund marrëdhënies së tyre me një gjest simbolik dhe shumë domethënës: të dy ecën drejt njëri-tjetrit nga secili skaj i Murit të Madh Kinez për t’u takuar në mes dhe thanë “mirupafshim” pikërisht aty. Ata u ritakuan në një nga shfaqjet e Marinës rreth 30 vjet më vonë, takim, i cili preku thellësisht publikun me ndjesitë që përcolli.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, në Facebook, Abramović shkruan: “Mësova me shumë trishtim për vdekjen e mikut dhe ish-partnerit tim Ulay. Ai ishte një artist dhe qenie njerëzore e jashtëzakonshme, të cilit do t’i ndihet shumë mungesa. Por, është ngushëlluese të dimë që arti dhe trashëgimia e tij do të jetojnë përgjithmonë. “
Ulay ishte ndër artistët më me ndikim të kohës së tij, pionier në zhanrin e tij dhe aktivist. Vdiq në Ljubljana të Sllovenisë, në moshën 76-vjeçare nga kanceri. /Erina Çoku/



