Akademia e Shkencave përkujtoi sot 40-vjetorin e ndarjes nga jeta të skulptorit të njohur Odhise Paskali, një nga figurat themelore të artit shqiptar dhe pionier i skulpturës moderne në vend.
Paskali u dallua për krijimtarinë e tij të gjerë dhe për veprat monumentale me karakter kombëtar dhe artistik, të cilat mbartin një forcë shprehëse të veçantë.
Ai ishte mjeshtër në përpunimin e materialeve të ngurta, duke u dhënë atyre jetë, ndjenjë dhe mesazh, cilësi që e bënë artin e tij të “lexueshëm” e të prekshëm për publikun e gjerë.
Odhise Paskali lindi në Përmet, në dhjetor të vitit 1903. Ai është një nga themeluesit e skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të spikatura të kulturës kombëtare.
Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, etj.
Ai është bashkautor i Monumentit të Skënderbeut në Tiranë; autor i bustit të Skënderbeut, bashkautor i Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, si dhe autor i dhjetëra busteve dhe monumenteve të personaliteve të shquara kombëtare dhe të rilindësve.
Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve, dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”.
Veprimtaria e tij artistike, pedagogjike dhe kulturore ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar.
Me rastin e këtij përvjetori, Akademia e Shkencave vlerësoi figurën dhe trashëgiminë e tij si një pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë për identitetin dhe kujtesën historike të vendit.



