
Gazeta kryesore e Atlantës ka punësuar një avokat të fuqishëm kundër filmit më të fundit të Clint Eastwood, Richard Jewell, në të cilin rrëfehet jeta e një prej gazetareve të saj.
Gazeta pretendon se paraqitja në film e reporteres tashmë të ndjerë Kathy Scruggs, roli i të cilës luhet nga Olivia Wilde, është "fyese" dhe "shumë shpifëse". Gazeta kërkon që drejtuesit e Hollivudit të shtojnë një saktësim në film në lidhje me pjesën.
Në film, gazetarja Scruggs fle me një agjent të FBI për të nxjerrë informacione nga një burim lidhur me pasojat e sulmit me bombë në Lojërat Olimpike të Atlanta-s në vitin 1996. “The Atlanta-Journal Constitution” e ka denoncuar vazhdimisht mënyrën si trajtohet gazetarja në film.
"Një portretizim i tillë bën të duket sikur gazeta e ka shfrytëzuar seksualisht stafin e saj dhe/ose e ka kushtëzuar të ofrojë kënaqësi seksuale për burimet në këmbim të informacionit. Kjo është plotësisht e rreme dhe është jashtëzakonisht shpifëse dhe e dëmshme", thuhet në letrën e avokatit Marty Singer në emër të gazetës, drejtuar Clint Eastwood, skenaristit Billy Ray dhe drejtuesve të Warner Brothers.
Singer, i cili ka përfaqësuar njerëz të famshëm për dekada të tëra, mes tyre Sylvester Stallone, Charlie Sheen dhe Jeremy Piven, ka kërcënuar Eastwood dhe drejtuesit e tjerë të Hollivudit me padi për shpifje në emër të AJC.
Një numër i madh gazetarësh e kanë kritikuar portretizimin e Scruggs në film.



