Opera ‘Aida’ e kompozitorit italian Xhuzepe Verdi u vu mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), si një kryevepër monumentale e repertorit operistik botëror, realizuar nën vizionin e legjendarit Franco Zeffirelli.
Kjo vepër epike interpretohet nga sopranoja Eva Golemi në rolin e Aidës dhe Ivana Hoxha si Amneris, ndërsa në kastin e dytë janë Maria Teresa Leva dhe Tamta Tarelashvili.
Orkestra Simfonike, solistët dhe kori i TKOBAP-së drejtohen nga maestro Sergio Alapont dhe maestro Dritan Lumshi.
Libreti i operës Aida, rrëfen trekëndëshin e një dashurie pasionante dhe të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së faraonit, Amneris.
Ngjarja merr një tjetër rrjedhë kur Radamès urdhërohet të luftojë në betejën kundër Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre dhe ia tregon atij të gjithë planin ushtarak. Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron. Dilema mes dashurisë dhe detyrës përballet edhe nga Radamësi, i cili në fund tradhton atdheun e tij për shkak të Aidës.
Muzika magjepsëse e Verdi-t, me korale të fuqishme, arie emocionuese dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale, përforcon thellësinë emocionale të operës.
Kjo histori pasioni, sakrifice dhe triumfi, në një spektakël që mishëron madhështinë e operës në formën e saj më të lartë, do të rikthehet edhe në datat 8, 10 dhe 12 shkurt.



