Piktori i njohur shqiptar Helidon Haliti, një nga emrat më të spikatur të artit pamor në vend, ishte i ftuar në emisionin “MCN Informacion”, ku foli për gjendjen e artit figurativ në Shqipëri, sfidat me të cilat përballen artistët dhe mungesën e politikave mbështetëse për sektorin.
Duke bërë një krahasim mes periudhës së pas viteve ’90 dhe situatës aktuale, Haliti tha se arti figurativ kaloi një periudhë të vështirë tranzicioni, ndërsa sot vazhdon të vuajë nga mungesa e institucioneve të konsoliduara dhe e një kuadri ligjor të posaçëm.
Nëse bëjmë një paralele me vitet ’90, ndryshimi i sistemit ishte aq i menjëhershëm sa arti pësoi një pauzë shumë të madhe.
Sot, pas 35 vitesh, secili artist ka krijuar një produkt dhe një karrierë.
Forca personale dhe profesionale e artistit është e jashtëzakonshme, por vjen një moment kur ai duhet t’i shohë veprat e tij të ekspozuara jo vetëm në rrjetet sociale, por përmes institucioneve të konsoliduara, sepse aty fillon edhe vlerësimi real i artit.
Kosova ka arritur të ndërtojë institucione më të konsoliduara në fushën e artit, ndërsa në Shqipëri mungojnë ende mekanizmat që garantojnë vazhdimësinë dhe zhvillimin e brezave të artistëve.
Po humbasin breza të tërë artistësh. Kemi një problem të madh me diferencën mes brezave dhe kjo reflektohet edhe në Universitetin e Arteve.
Të rinjtë duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, por fillimisht duhet të japin shumë nga vetja.
Haliti u ndal edhe te mungesa e një sistemi referues për vlerësimin ekonomik të veprave të artit.
Para viteve ’90 ekzistonte një listë çmimesh referuese. Në sistemin e kaluar, shteti blinte vepra arti.
Sot kjo nuk ndodh më dhe gjithçka i është lënë tregut të lirë, ndërkohë që arti ka kosto të lartë.
Nëse gjatë këtyre dekadave do të ishin konservuar qoftë edhe 100 vepra në vit, sot do të kishim 3500 vepra të ruajtura nga artistë të shkëlqyer shqiptarë.
Piktori ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një ligji të posaçëm që do të njihte veprat e artit si asete me vlerë ekonomike.
Këtu nuk janë ekuivalentuar ende çmimet e veprave të artit.
Shqipëria po ndërtohet masivisht me pasuri të paluajtshme, por pikturat dhe skulpturat mund të jetojnë për mijëra vite.
Nëse do të kishte një ligj të posaçëm, veprat e artit mund të përdoreshin si kolateral në banka. Një piktor do të mund të vendoste veprën e tij si garanci për të marrë një kredi dhe jo shtëpinë e tij. Kjo do ta ndryshonte tërësisht mënyrën se si trajtohet arti në vend.
Artisti gjen vlerësimin e tij të vërtetë përmes galerive dhe institucioneve kulturore, të cilat duhet të kenë një rol shumë më aktiv në promovimin dhe mbështetjen e artit shqiptar.



