Edicioni i 13-të i ‘DEA Open Air’ në Tiranë/ 40 filma nga 25 vende në konkurrim deri më 5 qershor

Edicioni i 13-të i ‘DEA Open Air’ në Tiranë/ 40 filma nga 25 vende në konkurrim deri më 5 qershor

Nën moton “Qielli i hapur. Mendje të hapura!”, ka nisur në Tiranë edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në Shqipëri dhe rajon.

 

Programet konkurruese të Filmit të Shkurtër dhe Filmit Studentor, si dhe një pjesë e projeksioneve të Filmit me Metrazh të Gjatë, do të zhvillohen në Kinema DEA OPEN AIR 2, në sallën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke krijuar një hapësirë dinamike për projeksione, diskutime dhe takime artistike gjatë pesë ditëve të festivalit.

 

Në garë për Çmimet DEA, komisionet e përzgjedhjes kanë përfshirë këtë vit 40 filma nga 25 vende të botës. Prej tyre, 7 filma konkurrojnë në seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, 15 në seksionin e Filmit të Shkurtër dhe 18 në seksionin e Filmit Studentor.

 

Në konkurrimin kryesor marrin pjesë filma nga tradita të ndryshme kinematografike, që vijnë nga Turqia, Polonia, Holanda, Kirgistani, Italia, Spanja, Finlanda, Kina, Hong Kongu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto vepra trajtojnë tema që lidhen me identitetin, teknologjinë, kujtesën, marrëdhëniet njerëzore dhe sfidat sociale të kohës.

 

Ndërkohë, seksioni i Filmit të Shkurtër sjell 15 produksione nga Evropa, Azia dhe Amerika Latine, të cilat pasqyrojnë larminë tematike dhe stilistike të kinemasë bashkëkohore, duke përfshirë drama intime, reflektime sociale dhe eksperimentime narrative e vizuale.

 

Programi i Filmit Studentor përfshin 18 filma të realizuar nga autorë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Spanja, Portugalia, Libani, Irani, Brazili, Hong Kongu, SHBA-ja, Gjermania, Egjipti dhe vende të tjera, duke dëshmuar potencialin krijues të brezit të ri të kineastëve.

 

Përveç konkurrimit, DEA OPEN AIR synon të krijojë një hapësirë ndërkombëtare komunikimi mes kineastëve, studentëve, kritikëve, studiuesve dhe publikut. Gjatë festivalit do të organizohen takime profesionale, diskutime dhe aktivitete që promovojnë shkëmbimin kulturor dhe reflektimin mbi zhvillimet bashkëkohore të kinemasë.

 

Në kuadër të Akademisë DEA, këtë vit një vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit me studentët e Departamentit të Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Universitetit të Prishtinës dhe me studentët e degës së Filmit pranë Departamentit të Arteve të Aplikuara të Universitetit Europian të Tiranës.

 

Studentët pjesëmarrës do të angazhohen në një laborator praktik krijimtarie audiovizive, me fokus qytetin e Tiranës dhe marrëdhënien emocionale të artistit me hapësirën urbane. Gjatë ditëve të festivalit, ata do të realizojnë intervista, vëzhgime dhe skena filmike në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke e kthyer Tiranën në një personazh aktiv të rrëfimeve të tyre.

 

Filmat e realizuar në kuadër të këtij projekti do të prezantohen në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit, gjatë Galasë së Ndarjes së Çmimeve të Edicionit të 13-të të DEA OPEN AIR, që do të mbahet më 5 qershor.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy