
Është prezentuar sot në Institucionin e Presidences, nisma e emërtuar “U’ (unë) jam arbëresh”, e inicuar nga President, Ilir Meta, i cili ka për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës arbëreshe.
President i vendit, u shpreh se kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane dhe botërore.
“Për të mos lejuar që të ndodh kjo humbje, por edhe për të forcuar lidhjet midis dy brezave, nga të dyja anët e Adriatikut, unë besoj se jemi edhe në këtë forumi e në çdo nismë tjetër”, u shpreh Meta.
Ministri i Diasporës, Pandeli Majko u shpreh kritik me mungesën e një institucioni të posaçëm që t’i dedikohet vetëm arbëreshëve dhe tha se nga janari i vitit të ardhshëm merr jetë Qendra e Studimeve dhe Publikimeve.
Të pranishëm në forum ishin edhe Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, Konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë të shquar, Neritan Ceka, Paskal Milo, Tritan Shehu, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, etj.
Të pranishmit diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre rreth arritjes dhe zbatimit të objektivave të rëndësishme të Forumit “U jam Arbëresh”.
Ky forum ka për qëllim nxitjen, ruajtjen, dhe zhvillimi e gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu edhe mësimin e saj nëpër shkolla.



