
Teksa po interpretonte në “Forum de Montreal” në Kanada, që ndodhej në qytetin e lindjes së Leonard Cohen, Bob Dylan interpretonte për herë të parë live këngën “Hallelujah”.
Marrëdhënia e Dylan dhe Cohen është paraqitur mrekullisht nga David Remnick, i cili shkroi në “New Yorker” një profil fantastik mbi Leonard Cohen. Aty Remnick jep detaje të diskutimeve të veçanta midis Cohen dhe Bob Dylan, rrugët e të cilëve u kryqëzuan disa herë pas takimit të tyre fillestare në vitet '60. Me sa duket, Cohen ishte në Paris në të njëjtën kohë kur Dylan po jepte një shfaqje kryesore dhe e kishte rregulluar që ta takonte pas kuintave. Dylan ishte veçanërisht i interesuar për këngën hit “Hallelujah” të Cohen-it.
"Sa kohë t’u desh ta shkruaje?", e pyeti Dylan. "Dy vjet", gënjeu Cohen duke e ditur mirë se procesi i formimit të asaj kënge të veçantë u shtri përgjatë pesë vjetëve të tërë.
Në përgjigje, Cohen i tha Dylan-it: "Më pëlqen kënga “I and I”. Sa kohë të mori për ta shkruar?”
"Rreth pesëmbëdhjetë minuta", u përgjigj Dylan-i.

Pas interpretimit të “Hallelujah” në Montreal (qarkulluan fjalë se Cohen ishte në publik duke e ndjekur), Dylan e mbajti këngën në dollapin e tij vetëm për raste të veçanta.
Megjithatë, vetëm një muaj pas shfaqjes në Montreal, Dylan dhe grupi i tij arritën në Los Anxhelos për të luajtur një shfaqje në Teatrin Grek “të armatosur” me këngën “Hallelujah” si pjesë të repertorit të tyre. "Kur njerëzit flasin për Leonard Cohen, ata nuk i përmendin meloditë e tij, të cilat për mua, së bashku me tekstet e tij, janë gjenia e tij. Talenti apo gjenia e tij janë në lidhjen e sferave të muzikës", tha dikur Dylan për Cohen-in.
"Kënga “Hallelujah” ka rezonancë për mua. Është një melodi e ndërtuar bukur që rritet, evoluon dhe rrëshqet përsëri, të gjitha në kohë të shpejtë, ...e gjitha me një fuqi krejt të vetën”, tha Dylan më vonë për “New Yorker”. /Far OUT, përgatiti Erina Çoku/



