Në kuadër të muajit të Librit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar shkrimtaren dhe disidenten Musine Kokalari, përmes frazës së saj “Liri mendimi është të harmonizosh e të ndreqësh gabimet, të kritikosh me vend vetëm atëherë kur përballë këtyre të kesh një ide tjetër dhe ta tregosh atë".
Ministrja thotë se ajo ëhstë shembulli i një njeriu që dha jetën e saj për fjalën e lirë.
Musine Kokalari është shembulli i njeriut që u sakrifikua për fjalën e lirë!
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë ndersa në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do te vendosej në Tiranë.
Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.
Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.
Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.



