
Kalaja e gurtë e Gjirokastrës, sipas Ministrisë së Kulturës, vazhdon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.
Në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli në vëmendje ndriçimin e kalasë së Gjirokastrës të kryer në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës për vendosjen e ndriçimit në kalatë e vendit.
“Nxorëm nga errësira Kalanë e Argjirosë, në Gjirokastër, këtë kurorë të qytetit”, shprehet Margariti në postimin e tij.
Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime.
Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.



