Facebook-u shfaq sërish anën e tij jo fort miqësore me veprat e artit. Rrjeti social ka bllokuar një video promovuese të një ekspozite me veprat e Marc Chagall në Münster të Gjermanisë. Muzeu “Pablo Picasso” ka prodhuar një klip 2-minutësh për të promovuar ekspozitën e piktorit të famshëm franko-rus.
Por në momentin që u përpoqën të përdorinin opsionet e reklamimit me pagesë, rrjeti social e refuzoi videon, raporton gazeta lokale Münstersche Zeitung. Mesa duket, algoritmi automatik i ka parë si të tepruara disa vepra të piktorit të viteve ’30.
Por pasi mediat gjermane e raportuan këtë rast si një bllokim absurd, Facebook ndërroi mendje dhe i kërkoi falje muzeut.
Raste të tjera të ngjashme ka pasur jo pak kohët e fundit. E njëjta gjë u ka ndodhur disa muzeve në Belgjikë me pikturat e Rubensit, Bruegel-it dhe Van Eyck.
Po ashtu, në mars të këtij viti, rrjeti social kërkoi falje për censurimin e një pikture të Eugene Delacroix, e cila shfaqte një grua me gjoksin zbuluar.
Në vitin 2016, në Norvegji, Facebook u akuzua për censurimin e një fotoje historike, në të cilën shfaqet një vajzë e vogël që i ikën bombardimit me napalm në Vietnam.



