Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta Robert Shvarc, shqipëruesi dhe njeriu elegant në qasjen ndaj kulturës, do të përkujtohet sot në një organizim të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Në nderim të figurës së tij, mes miqsh e familjarësh, prej orës 18.30 në QKLL, do të mbahet takimi i cili do të shoqërohet me fotografi të realizuara nga Roland Tasho.
Përkthyesi i shquar Robert Shvarc, ndërroi jetë më 25 prill të vitit 2003, pas një sëmundje të gjatë zemre.
Ai u lind në Sarajevë më 10 dhjetor 1932, i biri i Julius Shvarc dhe Saveta Çipit. I ati ishte po ashtu nga Sarajeva me profesion teknik elektrik, i gjyshi, Siegfried, ishte nga Vjena, ndërsa e ëma vinte prej një familjeje elbasanllie me profesion rrobaqepëse.
Familja e Shvarc u zhvendos në Shqipëri më 1925 duke u vendosur fillimisht në Shkodër ku mësoi shqip në shkollën fillore dhe, më vonë, me gjithë familjen, u zhvendos në Tiranë ku mbaroi vetëm arsimin e mesëm.
Në vitet 1957 deri 1961 ishte ndër letrarët e rinj më prodhues, si në poezi ashtu edhe në prozë. Por në vitin 1961 hoqi dorë nga krijimtaria origjinale, sepse s’kishte ndër mend të bëhej konformist me regjimin si shumë e shumë moshatarë të tij dhe sepse iu mbush mendja përfundimisht që këtu s’ishte puna për “parime“, por për ruajtje froni dhe për luftë të egër klanesh!
Vetëm në vitin 2011, pas vdekjes, iu botua libri me poezi origjinale “Vargje të pluhurosura“ ku gati një e treta e vargjeve janë shkruar me gegënishten e kulluar të Shkodrës së fëmijërisë së tij, mes të cilave edhe dy poezi: njërën kushtuar vendlindjes “Ma vranë Sarajevën” dhe tjetrën, qytetit që e birësoi, “Tingëllimë për Shkodrën” – atje ku u mëkua me dashurinë për gjuhën shqipe dhe ku siç thonte edhe vetë me krenari e dhimbje: “Aty kam eshtnat e të parëve”...
Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip të autorëve nga letërsia botërore, si Remarku, Fojhtvangeri, Brehti, Cvajgu, Gëte, Hajne, Tuholski, Vajnert, Falada, Bël, Markez, Kishon, Uris.
Ndërkohë edhe disa autorë e poetë shqiptarë në gjermanisht si Kadare, Agolli, Spahiu, Bushaka, Arapi, Lako, etj.
Në Gjermani u bë i njohur si përkthyes i letërsisë shqipe, dhe për këtë më 2 maj 1995 Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë e nderoi me “Kryqin e Meritës”, si të parin personalitet të kulturës nga vendet e ish-Lindjes komuniste.
Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtër i Madh”, në dhjetor të vitit 2002, ndërsa në janar 2003, pak muaj para vdekjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës e shpalli “Qytetar Nderi“.
Më 6 maj 2016 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e shpalli “Nderi i Kombit”.



