
Në mbyllje të këtij sezoni veror, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), ka ndaluar në Himarë, për të sjellë pranë pushuesve ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, DPA-ja shpalosi përgjatë shëtitores së qytetit një rrëfim mbi bukurinë e përveçme të rivierës dhe veprimtaritë publike të atyshme, në gjysmën e parë të shek. XX.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë:
-Kërkesa e vitit 1922 për krijimin e Bashkisë së Himarës, gjer asokohe nënprefekturë e Vlorës;
-Korrenspondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme;
-Kërkesa për rindërtimin e skelës së portit;
-Kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare.
Përmes prezantimit të ekspozitave në disa qytete të vendit, synohet promovimi i pasurisë dokumentare kombëtare dhe njohja e së shkuarës.



