
Muzeu i Luvrit në Paris po përgatitet për një rindërtim të plotë të sigurisë pas grabitjes spektakolare të 19 tetorit, ku hajdutëve u mjaftuan më pak se tetë minuta për të depërtuar në “Galerinë Apollo” dhe për të marrë xhevahire me vlerë 88 milionë euro.
Drejtoresha Laurence des Cars njoftoi se deri në fund të vitit të ardhshëm do të instalohen rreth 100 kamera të reja të mbikëqyrjes, ndërsa sistemet kundër ndërhyrjes do të vendosen brenda dy javësh. Ajo tha se këto pajisje do të parandalojnë afrim të paautorizuar drejt ndërtesave të muzeut, por pa dhënë detaje specifike.
Zyrtarja konfirmoi edhe se hajdutët përdorën prerës disku për beton për të hapur vitrinat, të cilat “rezistuan jashtëzakonisht mirë” gjatë sulmit. Megjithatë, grabitësit arritën të marrin thesarët dhe të zhduken me ndihmën e një ashensori mallrash.
Pas incidentit, më shumë se 20 masa emergjente pritet të zbatohen, përfshirë krijimin e një pozicioni të ri koordinatori sigurie. Përmirësimi i mbrojtjes është pjesë e planit ambicioz dhjetëvjeçar “Rilindja e Re e Luvrit”, që synon modernizimin e infrastrukturës, reduktimin e mbipopullimit dhe krijimin e një galerie të dedikuar për “Mona Lisën” deri në vitin 2031.
Des Cars kujtoi se Piramida e qelqit ishte projektuar për rreth 4 milionë vizitorë në vit, ndërsa këtë vit Luvri ka pritur mbi 8 milionë. Muzeu ka nisur kufizimin e vizitorëve në 30,000 në ditë për të përballuar presionin turistik.
Ndërkohë, disa zyra dhe një galeri publike janë mbyllur përkohësisht për shkak të brishtësisë strukturore, ndërsa muzeu përballet me një nevojë urgjente për modernizim pas dekadave përdorimi.



