Teologu Ermir Gjinishi, duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” tha që nuk ka diskutime për ekzistencën e Jezu Krishtit.
Ai tha se i vetmi debat në botën e krishterë është për datën e lindjes, 25 dhjetorin, për të cilën s’ka burime autentike.

“Testamenti i vjetër flet, bibla flet, Kurani e përmend 79 herë Krishtin. Ekzistenca e Krishtit është historike, nuk diskutohet. Debati bëhet në vitin, stinën dhe ditën e lindjes së Krishtit. Ka kontestime, edhe vet bota e krishterë, s’ka dakordësi për ditën, e cila është e vendosur. Në vitin 336 është vendosur nga Perandoria Romake 25 dhjetori. Të krishterët e hershëm e kanë festuar Krishtlindjen në disa muaj të ndryshëm. S’ka një burim autentik që të përcaktojë vitin e saktë kur lindi Krishti. Enciklopedia botërore shkruan: Viti i lindjes së Krishtit, i papërcaktuar. Problemi i dytë është kush ka qenë stina kur ka lindur Krishti”.
Gjinishi thotë se natyra e Krishtit nuk është e përcaktuar mirë në bibël.
“Jezusi lindi nga Maria pa baba, lindja e Jezusit është një mrekulli. Natyra e Krishtit nuk është e përcaktuar saktë në bibël”.
Ndërkaq, pastori Akil Pano e konsideroi të parëndësishme datën apo ditën se kur ka lindur Jezu Krishti, pasi kjo nuk prek esencën e tij.
I pyetur mbi ekzistencën e Jezu Krishtit ai tha:
“Absolutisht Jezusi ka ekzistuar. Krishti jetoi deri në vitin 33, kur u kryqëzua. Kalendari që ne kemi sot nis me lindjen e Jezusit. Te testamenti i vjetër janë 300 profeci ku flitet për mesia-n, shpëtimtarin, jo me emrin Jezu Krisht. Të gjitha profetësitë janë përmbushur”.
Duke folur mbi natyrën e Krishtit, Pano thotë:
“Besohet që vjen prej një mrekullie, pa farën e burrit. Dakordësohet në mënyrë të pakuptimtë ideja që Jezusi i Nazaretit ka qenë krejt si ne, krejt njeri. Jezusi ishte tërësisht njeri dhe tërvsisht Zot”.



