Ministria e Kulturës vendosi të shtunën që të shpallë monument kulture banesën e arkitektit Maks Velo.
Përmes një njoftimi për shtyp Ministria njoftoi vendosjen në mbrojtje nga shteti dhe shpalljen “pasuri kulturore” të shtëpisë ku Velo jetonte deri më datën 7 maj, kur u nda nga jeta.
“Në respekt të figurës dhe kontributit të dhënë përmes artit, profesionalizmit, dëshmisë dhe mendimit të lirë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vendosi të shpallë Monument Kulture të Kategorisë II banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo,” shkruhet në njoftimin për shtyp.
Velo jetonte në një banesë pranë Pazarit të Ri në rrugën Hoxha Tahsin në Tiranë.
I nderuar me titullin “Mjeshtër në arkitekturë”, Maks Velo mban autorësi të disa projekteve në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Krahas arkitekturës ai shprehte një pasion të veçantë për artin dhe pikturën, të cilën e lëvroi gjatë dhe pas rënies së diktaturës, e cila e dënoi 10 vite burg për lirinë që ai shprehte përmes saj.



