
Më shumë se 300 000 libra janë hequr nga shkollat dhe bibliotekat turke dhe janë shkatërruar që nga përpjekja për grusht shteti i vitit 2016, sipas Ministrisë së Arsimit të Turqisë.
Ministri i Arsimit të Turqisë, Ziya Selçuk, njoftoi javën e kaluar se 301 878 libra janë shkatërruar, pasi qeveria godet gjithçka që lidhet me Fethullah Gylen, klerikun mysliman me qendër në SHBA, i cili akuzohet nga Turqia për nxitje të grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016. Gyleni ka mohuar përfshirjen.
Shifra u raportua për herë të parë nga gazeta popullore Hürriyet, me fotografi të librave të sekuestruar dhe të djegur, botuar nga gazeta online Kronos27.
Sipas faqes së internetit Turkey Purge, e cila e përshkruan veten si "një grup i vogël i gazetarëve të rinj që po përpiqen të jenë zëri i popullit turk që vuan nën një regjim shtypës", në vitin 2016 një libër matematike u ndalua për paraqitjen e inicialeve të Gylenit në një pyetje duke lexuar "nga pika F në pikën G". Në Dhjetor 2016, gazeta turke “BirGün” raportoi se 1.8 milionë libra shkollorë ishin shkatërruar dhe ribotuar ngaqë përmbajnë fjalën "e kundërshtuesshme" Pennsylvania, që është zona ku jeton Gyleni, në një kompleks të ruajtur. Rrugët me emrin Gylen në Ankara gjithashtu janë riemëruar, sipas raportimeve.
Organizatat e fjalës së lirë thanë se janë të alarmuara nga komentet e ministrit të Arsimit të Turqisë. "Në vetëm tre vjet, terreni botues në Turqi është shkatërruar, me 29 shtëpi botuese të mbyllura me dekret urgjent për "përhapjen e propagandës terroriste", thanë PEN International dhe English PEN në një deklaratë të përbashkët.
Një raport i vitit 2018 nga PEN-i anglez zbulon se, pas dekretit të gjendjes së jashtëzakonshme pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë, ishin mbyllur 200 media dhe organizata botuese, 80 shkrimtarë u nënshtroheshin hetimeve dhe ndjekjeve penale dhe 5 822 akademikë u pushuan nga 118 universitete publike. Raporti tregoi për një "krizë të lirisë së shprehjes" në Turqi.
"Qeveria ka rritur në mënyrë dramatike ndikimin e saj në media dhe terrenin botues, duke heshtur zërat kritikë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve turke të lejojnë rihapjen dhe funksionimin e pavarur të shtëpive botuese, dhe të ndalojnë urgjentisht goditjen e lirisë së shprehjes…", tha PEN.



